Libri Rijadus Salihin
Kategoria VLERA E ABDESTIT
All-llahu i Madhëruar në Kur’an thotë:
“O besimtarë! Kur të niseni të kryeni faljen (namazin), lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja me gjithë bërryla, kurse kokën tuaj fërkojeni (bëni mes-h), edhe këmbët tuaja deri në zog të këmbës. Dhe nëse jeni të papastër (xhunub), atëherë pastrohuni! Por, nëse jeni të sëmurë ose në rrugë, ose në qoftë se keni kryer nevojë natyrore apo keni pasur marrëdhënie me gratë tuaja e nuk gjeni ujë, atëherë me duart tuaja prekni tokën e pastër, lëmoni fytyrat tuaja dhe duart tuaja. All-llahu nuk do t'u bëjë vështirësi, por do që t’ju pastrojë dhe t'ua plotësojë dhuntinë e vet që të jeni mirënjohës.”
(el-Maide:6)
Hadithi 1032 Ebu Hurejra r.a. tregon: “E kam dëgjuar mikun tim sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. duke thënë: “Veshja solemne (rrobat dhe stolitë), e besimtarit do të arrijnë deri ku ka arritur abdesti.”
(Transmeton Muslimi)
Hadithi 1035 Ebu Hurejra r.a. thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka thënë: “Kur merr abdest robi musliman (besimtari), kur ta lajë fytyrën e vet, prej fytyrës së tij del çdo mëkat që ka bërë duke shikuar me sytë e vet, këto mëkate bien së bashku me rënien e ujit ose me pikën e fundit të ujit. Ndërsa kur t’i lajë duart e veta, atëherë çdo mëkat i dorës bie me ujin ose me pikën e fundit të ujit të dorës. Kur t’i lajë këmbët, atëherë çdo mëkat i këmbës do të bie prej këmbës së bashku me ujin e abdestit, apo me pikën e fundit të ujit të abdestit nga këmba, kështu që kur të kryhet abdesti, mbetet i pastër prej mëkateve.”
(Transmeton Muslimi)
Hadithi 1037 Ebu Hurejra r.a. thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka thënë: “A dëshironi t’ju tregoj se me çka All-llahu i shlyen mëkatet e juaja dhe me çka i lartëson gradat tuaja?” Të pranishmit i thanë: “Po, o i Dërguari i All-llahut!” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. u tha: “Marrja e abdestit edhe atëherë kur është vështirë, shkuarja e shpeshtë në xhami dhe pritja e namazit pas namazit. Kjo është fortifikatë, kjo është fortifikatë.”
(Transmeton Muslimi)