Libri Rijadus Salihin

Kategoria URDHËRESA E RUAJTJES SË SUNETIT DHE ADABEVE TË TIJ

All-llahu i Madhërishëm thotë:

“Çkado që ju jep Pejgamberi, merreni, e çka t’ju ndalojë, përmbahuni prej asaj.”

(el-Hashr, 7)

“Ai nuk flet me hamendje. Ajo nuk është tjetër vetëm se shpallje që shpallet.”

(en-Nexhm, 3-4)

“Thuaj: “Nëse e doni All-llahun, pasomëni, edhe ju All-llahu do t’ju dojë dhe do t’jua falë mëkatet.”

(Ali Imran, 31)

“Ju keni shembull të mrekullueshëm në Pejgamberin e All-llahut, kush shpreson në mëshirën e All-llahut dhe shpërblimin në botën tjetër.”

(el-Ahzab, 21)

“Dhe jo, pasha Zotin tënd, ata nuk janë besimtarë derisa për gjykatës në mosmarrëveshjet e tyre nuk të pranojnë ty, e pastaj për shkak të gjykimit tënd në shpirtrat e tyre nuk ndiejnë aspak peshë, dhe derisa të përulen plotësisht.”

(en-Nisa, 65)

.”.. Po nëse nuk pajtoheni në ndonjë çështje, drejto-juni All-llahut dhe Pejgamberit, nëse i besoni All-llahut dhe botës tjetër.”

(en-Nisa, 59)

Dijetarët kanë thënë se kjo do të thotë në Kur’an dhe Sunet. Dhe sërish në Kur’an thuhet:

“Kush e respekton Pejgamberin e ka respektuar edhe All-llahun.”

(en-Nisa, 80)

“Kurse edhe ti, pa dyshim udhëzon në rrugë të drejtë, në rrugë të All-llahut.”

(esh-Shûrâ, 52-53)

.”..Le të ruhen ata, të cilët veprojnë në kundërshtim me urdhrin e Tij, të mos i godasë ndonjë ngatërresë, ose të mos i godasë ndonjë dënim i dhembshëm.”

(en-Nûr, 63) dhe thotë:

“Dhe përkujtoni ajetet edhe urtësitë e All-llahut, të cilat lexohen në shtëpitë tuaja.”

(el-Ahzab, 34).

Ajete të kësaj sureje ka shumë. Ndërsa sa u përket haditheve, janë si vijon:

Hadithi 160 Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka thënë: “Kini kujdes atë që po ju lë; ata që kanë qenë para jush janë shkatërruar për shkak të pyetjeve të shumta dhe divergjencave me Pejgamberët e tyre. Kur t’ju ndaloj prej diçkaje, largohuni prej saj, ndërsa kur t’ju urdhëroj për diçka, atë përmbusheni sa të keni mundësi.” Share

(Muttefekun alejhi)

Hadithi 162 Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka thënë: “Krejt umeti im do të hyjë në Xhenet, përveç atij që nuk do.” I thanë: “E kush nuk do, o i Dërguari i All-llahut?” Tha: “Kush më respekton mua, ai do të hyjë në Xhenet, ndërsa kush më kundërvihet (nuk më respekton), ai nuk do.” Share

(Transmeton Buhariu)

Hadithi 165 Transmetohet nga Ebu Musa r.a. të ketë thënë: “U dogj një shtëpi në Medine bashkë me njerëzit e saj natën. Kur u informua për rastin e tyre, i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. tha: “Vërtet zjarri është armik juaji, prandaj, kur të flini, fikeni.” Share

(Muttefekun alejhi)

Hadithi 168 Transmetohet nga Xhabiri r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka urdhëruar që gjatë ngrënies të lëpihen gishtat dhe të fshihet ena me ushqim dhe ka thënë: “Vërtet ju nuk e dini se ku është bere-qeti.” Share

(Transmeton Muslimi)

Hadithi 169 Transmetohet nga Ibni Abbasi r.a., i cili ka thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. u ngrit në mesin tonë dhe duke na këshilluar tha: “O njerëz, ju vërtet do të tuboheni tek All-llahu i Madhërishëm të zbathur, të zhveshur dhe të pabërë sunet: “Ashtu siç ju kemi krijuar herën e parë do të përsërisim atë (krijim). Ky është premtimi ynë, Ne me të vërtetë mund ta bëjmë këtë” (el-Enbija, 104). Kujdes, krijesa e parë që do të vishet në Ditën e Gjykimit është Ibrahimi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Disa njerëz të umetit tim do të sillen në Ditën e Gjykimit dhe do t’i grabisin të majtët (engjëjt e Xhehenemit), e unë do të them: “O Krijuesi im, këta janë shokët e mi. “Pastaj do të më thuhet: “Ti vërtet nuk e di çfarë kanë bërë ata pas Teje”, kurse unë do të them siç ka thënë robi i mirë (Isai a.s.): “Kam qenë dëshmitar derisa isha në mesin e tyre, e pasi që ma more shpirtin, mbete Ti mbikëqyrës i tyre. Dhe Ti je dëshmitar i çdo sendi. Nëse i dënon, dënon robërit e Tu, e nëse ua fal, me të vërtetë Ti je i Fortë e i Urtë” (el-Maide, 117-118), e pastaj do të më thuhet: “Ata vazhdimisht janë kthyer prapa (janë bërë murted) qysh se je ndarë ti prej tyre.” Share

(Muttefekun alejhi)