Libri Rijadus Salihin

Kategoria RËNDËSIA E DASHURISË NË EMËR TË ALL-LLAHUT DHE INKURAJIMI I SAJ, PASTAJ INFORMIMI I NJERIUT TË DASHUR SE E DO DHE ÇKA I THOTË ATIJ KUR TË MËSOJË PËR KËTË

All-llahu i Madhëruar thotë:

“Muhammedi është Pejgamber i All-llahut, kurse ata që janë me të janë të ashpër ndaj jobesimtarëve, por të mëshirshëm ndërmjet veti; i sheh si përkulen dhe bien me fytyrë për toke (sexhde), duke dëshiruar mirësinë e All-llahut dhe kënaqësinë e Tij. Në fytyrë kanë shenjat, gjurmët nga të rënat me fytyrë për toke (sexhde). Ai është përshkrimi i tyre në Tevrat, kurse përshkrimi i tyre në Inxhil: ata janë si bima, kur lëshon filizin e vet e pastaj e forcon, trashet dhe e pjek frytin e vet, duke nxitur entuziazëm tek mbjellësit e për t’i zemëruar me të jobesimtarët. All-llahu u ka premtuar atyre, të cilët besojnë dhe bëjnë vepra të mira, falje dhe shpërblim të madh.”

(el-Fet’h, 29),

Dhe thotë:

“Edhe ata, të cilët e kanë përgatitur shtëpinë dhe besimin përpara atyre, i duan ata që kanë ardhur te këta.”

(el-Hashr, 9)

Hadithi 381 Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se Pejgamberi s.av.s. ka thënë: “Shtatë persona (lloje njerëzish) All-llahu do t’i vendosë nën hijen (mbrojtjen) e Tij atë ditë kur nuk do të ketë tjetër për-veç hijes së Tij. Ata janë: Imami (udhëheqësi) i drejtë; një i ri i cili është rritur në ibadet dhe respekt të All-llahut të Madhëruar; një njeri, zemra e të cilit është e lidhur me xhamitë; dy njerëz të cilët duhen në emër të All-llahut, janë shoqëruar dhe të tillë kanë mbetur gjer në ndarje (vdekje); një njeri të cilin e ka thirrur një grua autoritative dhe e bukur, kurse ai e refuzon duke i thënë se i frikësohet All-llahut njeriu i cili ndan sadaka fshehurazi, ashtu që dora e majtë nuk e di çka bën (sa ndan) e djathta; dhe njeriu që e përmend All-llahun në vetmi dhe i mbushen sytë me lot.” Share

(Muttefekun alejhi)

Hadithi 382 Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “All-llahu i Madhëruar Ditën e Gjykimit do të thotë: “Ku janë ata që janë dashur në emër të Madhërisë Sime? Sot do t’i vendos nën hijen Time, në ditën ku nuk do të ketë hije (mbrojtje) tjetër përveç hijes Sime.” Share

(Transmeton Muslimi)

Hadithi 383 Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka thënë: “Nuk do të hyni në Xhenet derisa të besoni, dhe nuk do të besoni derisa të duheni ndërmjet jush. A doni t’ju udhëzoj për diçka që, nëse i përmbaheni, do të duheni në mes veti? Atëherë jepni ndërmjet veti selam.” Share

(Transmeton Muslimi)

Hadithi 384 Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka thënë: “Një njeri e vizitoi vëllanë e vet në një fshat tjetër. All-llahu i Madhëruar i’a caktoi një engjëll për ta vëzhguar gjatë rrugës së tij dhe kur erdhi tek ai (engjëlli) i tha: “Ku po shkon?” Tha: “Tek një vëlla i im në këtë fshat.” Tha: “A mos ke ti tek ai ndonjë interes material?” Tha: “Jo, por unë e dua atë për hir të All-llahut!” Engjëlli i tha: “Unë jam i dërguar nga All-llahu xh.sh. tek ti për të njoftuar se All-llahu të do ty ashtu siç e do ti atë njeri.” Share

(Transmeton Muslimi)

Hadithi 390 Transmetohet nga Enesi r.a. se ka thënë se një njeri ishte tek Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. dhe kalon aty një njeri tjetër, kurse ky që ishte tek Pejgamberi tha: “O i Dërguari i All-llahut, unë vërtet e dua këtë njeri.” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. i tha: “A e ke informuar atë se e do?” Tha: “Jo.” Pejgamberi i tha: “Informoje.” Ky e takon dhe i thotë: “Unë të dua për hir të All-llahut.” Ai i tha: “All-llahu të dashtë, që të ka bërë të më duash për Të.” Share

(Transmeton Ebu Davudi me isnad sahih)