Libri Rijadus Salihin
Kategoria NDALIMI I SPIUNIMIT DHE I PËRGJIMIT
All-llahu i Madhëruar thotë:
“Dhe mos spiunoni njëri-tjetrin.”
(el-Huxhurat, 12)
“Kurse ata, që i ofendojnë besimtarët dhe besimtaret për diçka që nuk e meritojnë, ngarkohen vetë me shpifje dhe mëkat haptazi.”
(el-Ahzab, 58)
Hadithi 1578 Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka thënë: “Ruajuni nga mendimet e këqija, sepse mendimi i keq është gënjeshtra më e madhe. Mos e përgjoni as mos e spiunoni njëri-tjetrin, mos garoni në tregti njëri me tjetrin, as mos ia keni zili njëri-tjetrit. Mos e urreni njëri-tjetrin, as mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit. O robër të All-llahut, bëhuni vëllezër, siç ju është urdhëruar. Muslimani për muslimanin është vëlla, prandaj nuk guxon t’i bëjë të padrejtë, ta dëshpërojë, as ta nënçmojë. Devotshmëria është mu këtu. Devotshmëria është mu këtu, duke treguar në kraharorin e tij. Për njeriun është e keqe e mjaftue-shme nëse e nënçmon vëllanë e tij musliman. Çdo musliman për çdo musliman është i shenjtë, i pacenueshëm: gjaku i tij, nderi i tij dhe pasuria e tij. All-llahu nuk shikon në trupat tuaj, as në pamjen tuaj, as në punët tuaja, por shikon në zemrat tuaja.” Në një transmetim tjetër është: “Mos ia keni njëri-tjetrit zili, mos e urreni njëri-tjetrin, mos e spiunoni njëri-tjetrin, mos garoni me njëri-tjetrin, as mos e mashtroni njëri-tjetrin. O robër të All-llahut, bëhuni vëllezër të mirëfilltë!” Në një transmetim tjetër është. “Mos i shkëputni marrëdhëniet, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, mos e urreni njëri-tjetrin, as mos ia keni zili njëri-tjetrit. O robër të All-llahut, bëhuni vëllezër të mirëfilltë!” Në një transmetim tjetër është: “Mos e bleni njëri-tjetrin dhe mos iu impononi njëri-tjetrit në shitblerje!”
(Të gjitha këto transmetime i transmeton Muslimi, kurse Buhariu e transmeton shumicën e tyre.)
Hadithi 1579 Nga Muaviu r.a. transmetohet të ketë thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. duke thënë: “Vërtet, nëse t’i i ndjek të metat e muslimanëve, atëherë do t’i nënçmoje ata, apo gati do ta bëje këtë.”
(Hadith sahih, Ebu Davudi me senede sahih)
Hadithi 1580 Nga Ibni Mes’udi r.a. transmetohet se njëherë i sollën një njeri për të cilin i thanë. “Ky është filani, mjekrra e tij pikon verë.” (Ibni Mes’udi) Ka thënë: “Neve na është ndaluar ta hulumtojmë dhe ta spiunojmë njëri-tjetrin, por nëse diçka paraqitet haptazi, atëherë ne për të dënojmë.”
(Hadith sahih. Ebu Davudi me sened sipas sharteve të Buhariut dhe Muslimit)