Libri Rijadus Salihin

Kategoria KËRKIMI I FALJES DHE LARGIMI NGA INJORANTËT

All-llahu i Madhëruar në Kur’an thotë:

“Ti merri me të mirë! Urdhëro për vepra të mira dhe shmangiu injorantëve.”

(el-A’raf:199)

All-llahu xh.sh. prapë thotë:

“Pra, ti përmbahu mirë kundër teprimeve të tyre!”

(el-Hixhr:85)

All-llahu xh.sh. thotë:

“Le t’ua falin dhe të ndahen butësisht. A nuk dëshironi ju që All-llahu t’ju falë juve?”

(en-Nûr:22)

All-llahu i Madhëruar përsëri thotë:

“Ata që i falin njerëzit. Edhe All-llahu i do bamirësit.”

(Ali Imran:134)

All-llahu xh.sh. përsëri thotë:

“Por, kush duron dhe fal, ajo është nga punët e mençura.”

(esh-Shûrâ:43)

Ajetet e Kur’anit që flasin rreth kësaj teme janë të shumta dhe të njohura.

Hadithi 648 Aishja r.a. tregon se i ka thënë Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.: “A ke pasur në jetën tënde ndonjë ditë më të vështirë se dita e Uhudit?” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. u përgjigj: “Kur kam shkuar te populli yt, ditën e Akabes, ishte më vështirë. Iu paraqita birit të Abdi Jalile ibnu Abdi Kulale, por ai refuzoi të përgjigjet në atë që dëshiroja. Atëherë vazhdova udhëtimin dhe shenjat e shqetësimit dukeshin në fytyrën time, nuk kam ardhur në vete derisa kam arritur në Karnith-thealibe. Aty e kam ngritur kokën, kur një re mbi mua më bën hije. Kur e kam shikuar atë, kam vërejtur në të Xhibrilin a.s., i cili atëherë thirri dhe më tha: “Vërtet All-llahu i ka dëgjuar fjalët e popullit tënd, dhe e ka parë sulmin e tyre ndaj teje. All-llahu e dërgoi melekun e kodrave që ta urdhërosh të veprojë me ta si të dëshirosh ti.” Atëherë më ka thirrë meleku i kodrave, më ka përshëndetur me selam e pastaj ka thënë: “O Muhammed, vërtet unë jam meleku i kodrave dhe All-llahu më dërgoi te ti që të më urdhërosh të veproj ashtu si dëshiron ti. Nëse ti dëshiron, këto dy kodra do t’i hedh mbi ta.” Atëherë Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem., ashtu siç tregon Aishja r.a., ka thënë: “Jo. Por, dëshira ime është që All-llahu të falë prej tyre pasardhës, të cilët do ta adhurojnë vetëm All-llahun xh.sh. dhe nuk do t’i bëjnë Atij shok tjetër.” Share

(Muttefekun alejhi)

Hadithi 649 Aishja r.a. thotë: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. asnjëherë nuk e ka rrahur askë me dorën e vet, asnjë grua, asnjë shërbëtor, përveç në xhihad për hir të All-llahut. Ai asnjëherë nuk e ka dënuar askë për diçka apo nuk është hakmarrë ndaj dikujt, përveç atëherë kur janë thyer urdhrat e All-llahut. Atëherë është dënuar vetëm për hir të All-llahut xh.sh.” Share

(Transmeton Muslimi)

Hadithi 651 Ibnu Mes’udi r.a. thotë: “Sikur jam duke e parë të Dërguarin e All-llahut duke treguar për një Pejgamber prej Pejgamberëve, mbi të gjithë qoftë paqja dhe shpëtimi i Zotit, se si e kishte rrahur populli i vet, derisa i kishte rrjedhur gjaku. Dhe ai, duke e fshirë gjakun prej fytyrës, thonte: “O Zoti im, falja popullit tim, sepse vërtet ata nuk dine.” Share

(Muttefekun alejhi)