Libri Rijadus Salihin
Kategoria FRIKA (HAUF)
All-llahu i Madhëruar thotë:
.”.. Frikësomuni vetëm Mua!”
(el-Bekare, 40)
“Njëmend, hakmarrja e Zotit tënd është shumë e fortë.”
(el-Buruxh, 12)
“Ja, ashtu dënon Zoti yt kur dënon qytetet që kanë bërë mizori. Dënimi i Tij është, njëmend, fort i dhemb-shëm. Në këtë ka, pa dyshim, argumente për atë që i frikësohet dënimit në botën tjetër; e ajo është ditë kur të gjithë njerëzit do të tubohen dhe ajo është ditë e dëshmuar. Dhe ne e shtyjmë vetëm deri në një kohë të caktuar. Kur të vijë ajo ditë asnjë nuk do të flasë pa lejen e tij. Prej atyre do të ketë të mjerë dhe fatlumë. Sa u përket të këqinjve, ata do të jenë në zjarr, ku merret frymë rëndë.”
(Hud. 102-106)
“All-llahu u bën vërejtje për pezmin e tij.”
(Ali Imran, 28)
“Atë ditë, kur njeriu ik nga vëllai i vet. Edhe nga nëna edhe nga babai i vet. Edhe nga shoqja e vet dhe dje-mtë e vet. Atë ditë secilit njeri do t’i mjaftojë çështja e vet.”
(Abese, 34-37)
“O njerëz, frikësojuni Zotit tuaj! Me të vërtetë dridhja e fundit (e Ditës së Kijametit) është ngjarje e madhe. Atë ditë kur shihni që secila femër me fëmijë për gjiri do ta lë atë, dhe secila shtatzënë do ta hedhë frytin e vet (dështojë) dhe do shohësh njerëz të dehur; e ata nuk janë të dehur, por dënimi i All-llahut është i tmerrshëm.”
(el-Haxhxh, 1-2)
“Kurse ai që i është frikësuar forcës së Zotit të vet, do të ketë dy Xhenete.”
(err-Rrahman, 46)
“Do t’i qasen njëri-tjetrit duke e pyetur. Dhe duke thënë: “Më herët kemi pasur kujdes në familjen tonë. E All-llahu na dhuroi mëshirë dhe na ruajti nga vuajtja në zjarr. Ne i jemi lutur edhe më parë, Ai është me të vërtetë Bamirës dhe i Mëshirshëm.”
(et-Tur, 25-28)
Për këtë temë ka shumë ajete të njohura. Qëllim jonë ka qenë që të japim shenjë në disa prej tyre, dhe e bëmë. Sa u përket haditheve, po ashtu janë shumë, por ne do t’i theksojmë vetëm disa prej tyre.
Suksesi është me ndihmën e All-llahut xh.sh.
Hadithi 402 Transmetohet nga Ibni Mes’udi r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka thënë: “Në atë ditë (Ditën e gjykimit) do të sillet Xhehenemi me shtatëdhjetë frerë dhe në çdo fre do të ketë nga shtatëdhjetë engjëj që e tërheqin.”
(Transmeton Muslimi)
Hadithi 411 Transmetohet nga Ebu Dherri r.a. se i Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka thënë: “Unë vërtet shoh atë që ju nuk e shihni. Qielli krikëllon dhe i takon (i ka hije) që të krikëllojë. Në të nuk ka vend në madhësi të katër gishtave e të mos ketë një engjëll me fytyrë në sexhde për All-llahun e Madhëruar. Pasha All-llahun, sikur të dinit ju çka di unë, do të qeshnit pak e do të qanit shumë dhe as që do të dëfreheshit me gratë në shtrat, por do të dilnit në rrugë dhe do të kërkonit ndihmën e All-llahut të Madhëruar.”
(Transmeton Tirmidhiu dhe thotë hadithi hasen)
Hadithi 413 Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se ka thënë: “I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. e lexoi: “Atë ditë ajo (Toka) i tregon lajmet e veta.” (ez-Zilzal,4), pastaj tha: “A e dini cilat janë lajmet e saj?” Thanë: “All-llahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.” Tha: “Lajmet e saj janë që të dëshmojë për secilin rob apo robëreshë se ç’kanë punuar në sipërfaqen e saj dhe do t’i thotë: “Ke punuar këtë dhe këtë (filan punën), në filan ditë!' Ja, pra, këto janë lajmet e saj.”
(Transmeton Tirmidhiu dhe thotë hadith hasen sahih)
Hadithi 416 Transmetohet nga Aishja r.a. të ketë thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. duke thënë: “Në Ditën e Gjykimit njerëzit do të ringjallen të zbathur, të zhveshur dhe të pabërë sunet.” Unë i thashë: “O i Dërguari i All-llahut, a meshkujt dhe femrat bashkë, të shikojnë në njëri-tjetrin?“ Tha: “Oj Aishe, gjendja (çështja) do të jetë aq e ashpër, saqë askujt nuk do t’i bie ndërmend ta shikojë tjetrin.” Sipas një transmetimi tjetër: “Çësh-tja do të jetë më e rëndësishme sesa të shikojnë njëri-tjetrin.”
(Muttefekun alejhi)