Libri Rijadus Salihin

Kategoria Ç’RROBA DHE Ç’NGJYRA PREFEROHEN TË VISHEN

Mustehab është veshja e rrobave të bardha, por lejohet veshja e ngjyrës së kuqe, të gjelbër, të verdhë, të zezë. Lejohet që rrobat të jenë prej pambukut, lirit, fijeve të leshit si dhe të materieve të tjera, përveç mëndafshit.

All-llahu i Madhëruar thotë:

“O djemtë e Ademit! Ju kemi dhënë rroba që t’i mbuloni vendet tuaja të turpshme dhe veshje për zbukurim, mirëpo rrobat e devotshmërisë janë më të mirat. Ato janë disa argumente të All-llahut që ndoshta të mblidhni mend.”

(el-A’raf:26)

All-llahu i Madhëruar prapë thotë:

“Ju jap edhe veshje që ju mbron nga të nxehtit, ju jap parzmore që t’ju mbrojnë në luftë.”

(en-Nahl:81)

Hadithi 783 Ibni Abbasi r.anhuma tregon se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka thënë: “Veshuni me rroba të bardha, sepse ato janë veshja më e pastër dhe më e mirë juaja. Në rroba të bardha mbështillni të vdekurit tuaj.” Share

Hadithi 786 Ebu Xhuhajfe, Vehb ibni Abdil-lahu r.a. thotë: “E kam parë Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. në Meke, në Ebtah (vend afër Mekes), në tendën e tij të kuqe prej lëkure. Doli Bilali me ujin për abdest. Disave u kullonte uji i abdestit, e disa e fshinin. Atëherë doli Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. që kishte veshur një pallto të kuqe. Sikur tani i shoh kërcijtë e tij të bardhë. Mori abdest, ndërsa Bilali thirri ezanin. Unë e përcillja se çfarë thonte me gojën e vet, duke u kthyer herë në të djathtë e herë në të majtë: “Ejani në namaz, ejani në shpëtim!” Pastaj para vetes vuri një shkop të shkurtër, doli përpara dhe u fal. Para tij kalonin qentë dhe gomarët pa pengesë.” Share

(Muttefekun alejhi)

Hadithi 787 Ebu Remthe Rifaatut-Tejmijje thotë: “Unë e kam parë të Dërguarin e All-llahut të veshur me dy rroba të gjelbra.” Share

(Transmetojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu)

Hadithi 788 Xhabiri r.a. tregon se : “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ditën e çlirimit të Mekkes ka hyrë në të me çallmë të zezë.” Share

(Muttefekun alejhi)

Hadithi 789 Ebu Seid Amr ibni Hurejthi r.a. thotë: “Sikur tani jam duke e parë të Dërguarin e All-llahut me çallmë të zezë, anët e së cilës preknin në krahët e tij.” Share

(Transmeton Muslimi)

Hadithi 791 Aishja r.anha thotë: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. doli një ditë në mëngjes i veshur me një pallto lara-lara prej gëzofi të zi leshi.” Share

(Transmeton Muslimi)

Hadithi 792 Mugire ibni Shu’be r.a. thotë: “Një natë udhëtova me të Dërguarin e All-llahut, e ai më tha: “A ke ujë?” Unë iu përgjigja: “Po!” Ai atëherë zbriti prej kafshës kalëruese të vet dhe shkoi larg derisa më nuk dukej nga terri i natës, pastaj u kthye. Unë atëherë ia përgatita një enë me ujë dhe ai e lau fytyrën e vet, por, pasi kishte veshur një xhybe prej leshi, nuk mundej t’i nxirrte duart, derisa i përvoli mëngët nga ana e poshtme e xhybes. Pastaj i lau bërrylat dhe i dha mes-h kokës. Unë desha t’i ndihmoj që t’i heq të dy mestet, e ai tha: “Lëre, i kam mbathur në këmbë të pastra”, atëherë vetëm i ka dhënë mes-h mesteve.” Share

(Muttefekun alejhi)